Gjirokastër/ Makinat shembin kalldrëmin “Enveri e bëri të kalojnë njerëzit, jo betonieret 24 orë"
Kjo rrugë me kalldrëm në Lagjen “Palorto” të Gjirokastrës u shemb në një gjatësi prej gati tre metrash pasi mbi të po kalonin mjete të tonazhit të rëndë.
Problemet sipas banorëve ishin shfaqur kohë me parë, ndërsa Bashkia e drejtuar nga Flamur Golemi nuk ka marrë asnjë masë.
Ndërhyrja e fundit sipas banorëve të zonës ka qenë në mes të viteve '60.
"Është e rrezikshme se këtu kalojnë pesha të rënda dhe rrëzohen," thotë një banore.
"Për mjetet e tonazhit të rëndë është e rrezikshme sepse është ngushtë kur këmbehen," thotë një banor.
Banorët, thonë se kjo rrugë ka qenë e projektuar vetëm për këmbësorë dhe lejimi i lëvizjes së mjeteve e shkatërroi.
"Kjo është rrugë që në kohën e Enverit, po ai kishte bërë rrugë për të kaluar njerëzit jo betonieret që kalojnë këtu 24 orë," thotë një banore.
Në vitin 2019 në Gjirokastër përfundoi investimi me vlerë 137 mln lek për rehabilitimin e kalldrëmeve Karakteristike, ku pati një debat të fortë për cilësinë e punimeve.
Pak ditë më parë një grup ekspertësh të trashëgimisë kulturore ngritën alarmin se Gjirokastra rrezikon statusin e pasurisë së Mbrojtur nga UNESCO për shkak të punimeve për BY Passin e qytetit.