Apeli i Bashës nga Tirana për mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut: Bëni detyrën tuaj si patriotë, regjistrohuni!
Procesi i regjistrimit të popullësisë në Maqedoninë e Veriut ka qenë kryetema e diskutimeve mes zv.kryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, në takimin e mbajtur në selinë blu.
Në një apel drejtuar përmes gazetarëve, Basha u bëri thirrje mërgatës shqiptare të Maqedonisë së Veriut të përcaktojnë fatin e tyre dhe të familjeve të tyre duke u regjistruar online.
Basha: Tema që unë e konsideroj kryesore dhe qëndrore të këtij takimi është procesi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut, Censusi, proces që ndryshe nga ai në Shqipëri dhe kudo tjetër lidhet drejtëpërdrejtë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Një regjistrim i saktë, në veçanti i qytetarëve në emigracion, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të reflektuar të gjitha detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut , nga Marrëveshja e Ohrit, për të reflektuar investimet kapitale në zonat e banuara nga shqiptarët, subvencionet për fermerët, mbështetjen për studentët, kuotat në administratën publike, gjithçka që ka të bëjë me të drejtat e bashkëkombasve tanë.
Censusi përfundon me 21 prill. Jam në kohë për t'ju drejtuar me një thirrje personalisht emigrantëve nga Maqedonia e Veriut, ndani 10-15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin online sepse kështu do të ndihmoni familjet tuaja në Maqedoninë e Veriut, fuqizimin dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Tani është në dorën tuaj dhe nuk ka më nevojë për donacione dhe as ti bashkoheni radhëve të çlirimtarëve në 2001. Bëni të mundur që ky Census që po mbahet pas 20 vitesh të reflektojë me të vërtetë përmasat e një prej kombeve shtetformuese të Maqedonisë së Veriut, të reflektojë përmasat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.Mos e nëvlerësoni këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm, bëni detyrën tuaj si shqiptarë, si patriotë.
Ndërsa zoti Grubi falenderoi Bashën për vëmendjen e treguar ndaj këtij procesi përkundër axhendës së ngjeshur për shkak të fushatës zgjedhore.
Ai nënvizoi se Censusi në Maqedoninë e Veriut është një operacion jo vetëm statistikor por edhe politik për arsye se të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera varen nga përqindja me të cilën janë të përfaqësuar ata në numrin total të popullatës.
Grubi: Ndaj dhe vizitova Kosovën, sot jam këtu me liderë të Shqipërisë që bashkarisht të bëjmë apele drejtuar të bëjmë apele drejtuar mërgatës sonë të regjistrohet.
Një koment ai e pati edhe për zgjedhjet.
Grubi: Bashën e urova sot edhe për librin e botuar sot. Një fushatë të mbarë për gjithë Shqipërinë, uroj që qytetarët shqiptarë të kenë mundësi që në mënyrë të lirë, të drejtë dhe demokratike ta shprehin vullnetin e tyre të lirë politik në zgjedhje shembullore dhe bashkarisht Shqipëria me Maqedoninë e Veriut ti hapim dyert për integrim në BE qysh në Këshillin Europian në muajin qershor.