Kryeministri i ri i Kosovës, Berisha dhe Idrizi urojnë Kurtin: Suksese në misionin e lartë
Vijnë urimet e para për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën nga politika e Tiranës.
Të parët që kanë përcjellë mesazhet e tyre kanë qenë ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi.
"T'ju urojmë sukses në përmbushjen e misionit të tyre të lartë që në zgjedhjet e fundit ua besuan në mënyrë plebishitare qytetarët e Kosovës! Urime!", shkruan ndër të tjera Berisha.
Ndërsa Idrizi, në urimin e tij, ndër të tjera shprehet se, "Qeveria Kurti do të jetë qeveri e rikthimit të besimit dhe shpresës, përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe prosperitetit kombëtar".
Sali Berisha: Mesazh urimi per Kryetarin e Parlamentit te Kosoves dhe UD te Presidentit! Te dashur miq, sot u mblodh parlamenti i ri i Kosoves, i cili zgjodhi kryetar te parlamentit dhe njeherazi UD te presidentit te republikes te Kosoves, nenkryetarin e Levizjes se VeteVendosja z. Glauk Konjufca.
Pas Zgjedhjes se kryetarit dhe kryesise se tij parlamenti vazhdoi punimet ne nje seance te jashtezakonshme ne te cilen votoi per kryeminister te Kosoves zotin Albin Kurti kryetar i Levizjes VeteVendosja si dhe qeverine e paraqitur nga zoti Kurti dhe programin e saj.
Ju ftoj te dashur miq t'ju percjellim urimet tona me te perzemerta kryetarit te parlamentit dhe UD se presidentit te Kosoves zotit Glauk Konjufca, kryeministrit te qeverise se Kosoves zotit Albin Kurti dhe ministrave te kabinetit te tij.
Tju urojme sukses ne permbushjen e misionit te tyre te larte qe ne zgjedhjet e fundit ua besuan ne menyre plebishitare qytetaret e Kosoves! Urime!
Shpëtim Idrizi: Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përgëzon kryeministrin Albin Kurti dhe shumicën parlamentare të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Subjektet politike të Kosovës demonstruan nivel të lartë maturie e demokracie si gjatë mbarëvajtjes së zgjedhjeve të fundit, ashtu edhe gjatë procesit tranzitor të ndryshimit të qeverive.
Ne urojmë që kjo pjekuri të reflektohet në unifikimin e qëndrimeve për sfidat dhe vendimet e mëdha që Qeverisë së re të Kosovës do t'i duhet të ndërmarrë.
Ne besojmë që Qeveria Kurti do të jetë qeveri e rikthimit të besimit dhe shpresës, përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe prosperitetit kombëtar. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt, të dyja qeveritë e reja, e Kosovës dhe e Shqipërisë, të mund të ndërtojmë bashkëpunim më të ngushtë në shërbim të shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Pasditen e sotme, me 67 vota pro dhe 30 kundër, Kuvendi i Kosovës votoi Albin Kurtin si kryeministrin e ri të vendit. Ndërsa më herët ishte Glauk Konjufca që u votëbesua si kryetar i ri i Kuvendit por me kompetenca edhe të presidentit deri në zgjedhjen e tij.
Lexo edhe: Votëbesohet në Kuvend, Albin Kurti kryeministri i ri i Kosovës