Osmani denoncon: PS vjedh numrat e telefonit në KQZ dhe tenton të rekrutojë qytetarët
Emisioni Investigativ “Boom”, në RTV Ora, denoncoi sot me fakte se si zyrat elektorale të PS-së transferojnë votuesit në Tiranë me 1 telefonatë duke nxjerrë “jashtë loje” Njësitë Bashkiake.
Por duket se skandalet vazhdojnë edhe më tej.
Përfaqësues të PS-së kanë filluarr të marrin njerëzit në telefon me qëllim për t’i mbushur mendjen që t’i rekrutojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Një rast i tillë i ka ngjarë edhe Partisë Shqiptare Atdheu, së cilës përfaqësuesja e PS Njësia 7 në Tiranë, ka telefonuar financieren e PSHA me qëllim për t’i mbushur mendjen t’i bashkohet PS-së.
Sipas përfaqësuesit të partisë në fjalë Kreshnik Osmani, PS ka vjedhur të dhënat e tyre të dërguara në KQZ që drejtohet nga Ilirjan Celibashi dhe i merr njerëzit në telefon për t’i rekrutuar për fushatë.
Osmani shprehet se për këtë cënim të privatësisë do e hedhin në gjyq PS-në dhe se do ta kërkojnë të drejtën e tyre deri në fund.

Rastet në fjalë u denoncuan mbrëmjen e sotme edhe nga nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili në një konferencë për media, apeloi te institucionet përkatëse dhe Prokuroria të nisin hetimet.