"Filozofia e listave të PS mbështetet në 3 kolona" Pëllumbi: Ka patur diskutime në kryesi, por jo konfrontime

Arben Pëllumbi, Sekretari Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral të PS në një intervistë për Ora News ka thënë se lista e kandidatëve të PS është përfaqësuese e alternativës socialiste.

Më tej Pëllumbi ka thënë se mazhoranca ka një filozofi të ndërtimit të listave që mbështetet mbi 3 kolona, teksa shton se ka pasur diskutime në kryesinë e PS për hartimin e këtyre listave

Pëllumbi: Çdo forcë politike ka pësuar një ndryshim që nga vitet 2000, kështu që në mënyrë të natyrshme ka pësuar ndryshime dhe formime. Lista është përfaqësuese e alternativës socialiste të këtij momenti dhe të asaj ç'ka mendojmë për zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë këndvështrim është një listë përfaqësuese dhe shumë dinjitoze, me të cilën PS i paraqitet elektoratit. Në lista kemi një filozofi të ndërtimit të asaj liste, e cila mbështetet mbi tre kolona që kanë qenë edhe shtyllat më të rëndësishme të sfidave që jemi ndeshur në vitet e fundit, qoftë tërmeti apo pandemia, por në mënyrë të veçantë edhe kryereforma, që është reforma në drejtësi.

-Ka pasur përplasje midis Ditmir Bushatit dhe Edi Ramës, apo edhe largimin e disa kandidatëve…

Pëllumbi: Në çdo përgatitje listash, për çfarëdolloj fushate, qofshin ato për zgjedhjet politike apo lokale, sigurisht që ka debate dhe diskutime alternativash, derisa të arrihet në momentin e fazës finale, për të nxjerrë përfaqësuesit më të mirë në garë. Ka rinovim, largohen disa figura dhe afrohen disa të tjera, sepse vetë skuadra përfaqësuese e PS duhet të ketë patjetër brenda saj elementë të rinj, energji të reja dhe figura të reja. Kjo ka qenë historikisht në PS, sepse në të gjitha zgjedhjet kemi sjellë rinovim të ekipit tonë kombëtar. Ka pasur diskutime në kryesinë socialiste, por nuk ka pasur konfrontime.

Intervista në studio për Arnold Kariqin, përshtati për online Tea Islamaj.