Kosova valëvit flamurin në Izrael, hapet zyrtarisht Ambasada në Jeruzalem

Kosova ka vendosur flamurin shtetëror dhe ambasadën e saj në qytetin e Jerusalemit, edhe pse BE-ja ka paralajmëruar se një gjë e tillë nuk është në frymën e politikës europiane. 

Kosova ka hapur formalisht Ambasadën në Jerusalem, pavarësisht kritikave.

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se me vendosjen e raporteve diplomatike më 1 shkurt, vendi ka tani flamurin dhe selinë e vet në Izrael.

Pllaka e ambasadës u zbulua muajin e kaluar nga kryediplomati izraelit, Gabriel Ashkenazi.

"Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës," njoftoi Ministria e Jashtme kosovare.

Hapja e selisë diplomatike në Jerusalem ishte një nga pikat e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi më ndërmjetësinë e Uashingtonit.

Bashkimi Europian, Lidhja e Vendeve Arabe dhe Turqia janë disa nga aktorët ndërkombëtarë që e kanë qortuar Prishtinën për zgjedhjen e Jerusalemit, pasi statusi i qytetit është çështje debati mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Pas konsultave me ambasadorin turk në vend, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha këtë muaj se qeveria e tij mund ta rishikojë vendimin.