Rezervati për mbrojtjen e arinjve në Prishtinë, dikur përdoreshin si kafshë argëtimi në restorante
Prishtina ka një zonë të mbrojtur për arinjtë, që i kthen ata të lirë në natyrë pas shumë viteve robëri.
Gjatë luftës me Serbinë në vitet '90, restorantet e Kosovës mbanin shpesh arinj të lidhur apo në kafaze për të dëfryer klientët.
Situata ra në syrin e ushtarëve austriakë të KFOR-it në 2011-n, të cilët e ngritën problematikën në nivel ambasade e më tej, institucionalisht.
"Disa prej pronarëve kanë qenë pronarë restorantesh dhe kanë qenë ish-pjesëtarë të guerrilës ose të UÇK-së dhe rrjedhimisht kanë menduar që janë të paprekur," tha ministri i Mjedisit, Dardan Gashi.
Disa prej pronarëve të lokaleve zgjodhën t'i vrasin kafshët që të mos ua dorëzonin autoriteteve.
Në raste të tjera, arinjtë u braktisën dhe u sollën te rezervati i krijuar posaçërisht për ta në Prishtinë.
"Ku rrinë arinjtë momentalisht, aty e kam pasur vendin edhe unë. Kur erdha dhe shpenzova tre muaj duke parë Kasandrën, e pashë që arinjtë nuk të kafshonin. Nga ky moment fillova t'i dua arinjtë," thotë Mustafe Gashi, kujdestar i arinjve.
Mustafë Gashi shërbente si rojë i zonës përpara se të merrte rolin e kujdestarit të kafshëve të egra.
Atij i është dashur të kujdeset edhe për arushkat e sapolindura.
"I kam mbajtur në dorë, ja kam hapur gojën që t'i ushqeja me biberon. I kam rritur si fëmijët e mi. Fëmijët e mi, dy djem i kam, nuk i kam mbajtur në dorë," thotë ai.
Rezervati i arinjve në Prishtinë punëson 30 persona ndërsa buxheti vjetor financohet nga një organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve.
Pandemia ka ulur numrin e vizitorëve në park por drejtuesit thonë se misioni i tyre mbetet i njëjti.
"Pos shpëtimit si një fazë e parë dhe dhënies së mesazhit që kafshët duhet të mbrohen, ne kemi pasur për qëllim që të japim kontribut në pjesën e dërgimit të mesazheve të tjera. Dërgimit të mesazheve të edukimit," thotë Afrim Mahmuti.