Bie përkrahja për partinë e Merkelit në zgjedhjet rajonale

Konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel, pësuan humbje historike në dy lande.

Zgjedhjet rajonale të së dielës i siguruan kristian-demokratëve 24 dhe 27 për qind të votave në landet jugore të Baden-Vyrtembergut dhe Rajnland-Pfalcit.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Cimjak, renditi disa arsye për rezultatin e dobët.

Ai tha se qytetarët janë qartësisht të pakënaqur me menaxhimin e pandemisë nga qeveria, por veçanërisht nga skandali i fundit që ka çuar në dorëheqjen e disa konservatorëve të akuzuar për afera me prokurimin e maskave.

"Sjellja e pahijshme dhe e paturpshme e deputetëve të caktuar e vuri kandidaten tonë përballë një trysnie të madhe, sidomos në fazën e fundit të fushatës," tha Paul Ziemiak.

Votuesit në fundjavë i besuan për herë të tretë mandatin 72-vjeçarit Winfried Kretschmann nga Partia e Gjelbër, në njësinë federale të Baden-Vyrtembergut, ndërsa socialdemokratja Malu Drajer fitoi landin e Rajnland-Pfalcit.

"Jam pak i surprizuar me fitoren. Isha skeptik pasi kam marrë shumë letra me ankesa për masat anticovid që kemi aplikuar, ndaj jam i kënaqur," tha Winfried Kretschmann.

"Një fitore e tillë është mirë për të gjithë. Jam e lumtur për socialdemokratët dhe këtë rezultat e shohim si pikë kthese edhe për Bundestagun," tha - Malu Dreyer

Zgjedhjet në landet jugore priteshin me interes pasi mund të tregojnë trendin politik të vendit deri në shtator, për zgjedhjet e përgjithshme.

Kancelarja Merkel nuk do të jetë më në krye të fushatës, ndërsa kryesuesi i koalicionit CDU-CSU pritet të vendoset deri në fund të majit.