Ndahen çmimet e Grammy Awards 2021, Beyonce bën histori
Këngëtarja amerikane, Beyonce ka shënuar rekord të ri në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, duke fituar trofeun e 28-të. Diva e muzikës është kthyer në gruan me më shumë çmime në historinë e Grammy-t, duke tejkaluar edhe Alison Krauss.
“Jam e nderuar, jam aq e lumtur. Si artiste, besoj se është detyra ime të pasqyroj kohën dhe ka qenë një kohë kaq e vështirë," tha ajo teksa ka pranuar trofeun për performancën në zhanrin R&B, ndërkohë që gjatë mbrëmjes së 14 marsit ka pranuar edhe tre trofe të tjerë.
Taylor Swift po ashtu ka bërë histori në ceremoninë e së dielës, duke u bërë artistja e parë grua që ka fituar çmimin për “Albumin më të mirë të vitit” tri herë.
Ajo është nderuar për albumin e publikuar gjatë pandemisë “Folklore”. Vetëm tre artistë tjerë kanë fituar tre herë çmimin për albumin më të mirë: Frank Sinatra, Paul Simon dhe Stevie Wonder.
Në mesin e fituesve të tjerë ishte edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa, e cila rrëmbeu trofeun për “Albumin më të mirë pop”, dhe Lady Gaga e cila bashkë me këngëtaren Ariana Grande, janë bërë gratë e para që kanë fituar për bashkëpunimin më të mirë pop për këngën e tyre “Rain On Me”.
Artistja më e mirë u shpall reperja amerikane, Megan Thee Stallion, e cila ia ka dedikoi çmimin nënës së saj që humbi jetën nga kanceri.
Ceremonia e këtij viti është mbajtur duke respektuar distancën fizike, jashtë qendrës së kongresit në Los Anxheles, për shkak të pandemisë së covid 19, si dhe performancat e këngëtarëve kanë qenë të regjistruara paraprakisht.