Dikur "Kumbari", sot TikTok, si po e përdor Camorra rrjetin social për të promovuar dhe rekrutuar anëtarët e rinj
Në platformën tashmë të popullarizuar TikTok, njerëzit ndajnë video të ndryshme duke kërcyer apo aktruar.
Por mafia italiane përmes TikTokut promovon luksin dhe pushtetin që e ka, tenton ta prezantojë veten si “cool” – duke rekrutuar në këtë mënyrë shumë të rinj.
Një video 30 sekondëshe tregon fuqinë e krimit të organizuar: nën tingujt e muzikës së “shpirtit” njerëzit e Napolit, shihet edhe një grup prej 50 motoçiklistëve që “marshojnë” rrugëve të qytetit që kanë pak ndriçim. E nëse dikush nuk e ka të qartë për çfarë bëhet fjalë – aty është edhe simbol i mafias lokale – apo klanit të Camorras.
“TikTok është bërë shumë i rëndësishëm për mafian. Me video të tilla ku shihen të rinjtë – pjesëtarë të klanit duke dërguar porosi: Ne këtu jemi shefa”, shpjegon Marcelo Raveduto nga Universiteti i Salernos. Ai prej vitesh studion çdo veprim të mafias.
Të njëjtin mendim ndan edhe gjyqtari i lartë shtetëror i Italisë, Frederico Kafiero de Raho, lidhur me rastet e krimit të organizuar.
“Është një fenomen që çdo herë e më shumë është vërejtur muajve të fundit. Edhe pse nuk shfaqen skena të dhunshme, qëllimi i tyre është të tregojnë prezencën dhe fuqinë e tyre. Për këtë po i përdorin platformat siç është TikTok”, ka paralajmëruar ai gjatë një interviste dhënë për Republica.
Platforma kineze nuk është edhe aq e filtruar, aty postohet gjithçka – por rrallë herë ka skena të dhunës. Videoja e Camorras, përveç pushtetit, rinisë i tregon edhe diçka: ne jemi “cool”, këtu është ekipi i vërtetë.
Në video tjera, anëtarët e rinj të mafias mburren me rroba të shtrenjta, vetura të shpejta dhe apartamente luksoze. Më së shpeshti në sfond dëgjohen këngë nga jugu i Italisë ku i këndohet dashurisë dhe lirisë, por edhe për respektin ndaj familjes.
Ekspertët e kriminalistikës nuk i çudit fakti që mafia çdo herë e më shumë po e përdor TikTokun. Kjo platformë po bëhet më e popullarizuar tek të rinjtë, kurse mafia e di që po ec me kohën.
"Është një gabim i madh të mendosh se mafia në 2021 mund të mbijetojë nëse duket si në filmin"Kumbari ". Nuk ka më kapele dhe pushkë të shkurtra. Këta tregues arkaikë të fuqisë tani kanë një formë tjetër, moderne. Kështu mafia arrin të mbijetojë në epokën tonë", thotë Bonini.
Sidoqoftë, "vlerat" janë të pandryshuara: familja dhe besnikëria. Shfaqen në mënyrë spektakolare pamjet e mafiozit që del nga burgu dhe takon përsëri familjen.
Sipas profesorit Raveduto, rrjetet sociale për mafian janë një lloj arme siç është revolja.
“Është një armë e rrezikshme sepse krijon hapësirë për reklamim dhe avancimin e tyre. Me muzikën që e përdorin në video, duken plotësisht të zakonshme, në tren dhe tërheq vëmendjen e të rinjve”, ka shtuar Raveduto.
Në një video tjetër një i ri i maskuar lavdërohet se si çdo ditë fiton nga 300 euro duke bërë rolin e rojës për mafian. Ka video tjera në TikTok, ku mafiozët në arrest shtëpie, në mënyrë demonstrative bërtasin.
“Paraqiten sikur kanë një jetë më ndryshe nga të tjerët. Imazhet që ata i shfaqin, të rinjtë duken paksa arrogant dhe në një mënyrë dërgojnë porosi se jeta e rëndomtë nuk çon te suksesi”, shton profesori italian.
Gjyqtari De Raho thotë se është shumë e vështirë të luftohet kundër propagandave të tilla të mafias në TikTok.
Sipas tij nuk është se paraqesin ndonjë skenë të dhunshme, por ata thjesht lavdërohen me fuqinë e pasurinë që e kanë. Nuk ka ndonjë ligj që e ndalon këtë.