I shpëtoi jetën pasi i dhuroi veshkën, Selena Gomez ka dy fjalë për mikeshën e saj
Në vitin 2017-të, Selena Gomez ju nënshtrua një transplanti në veshka, i cili i shpëtoi jetën. Për shkak të komplikacioneve me sëmundjen e rrallë, lupus, artistja duhej të kryente patjetër një operacion të tillë që ishte shumë i vështirë për të. Mikesha e saj më e mirë, Francia Raisa, u vetëofrua që t’i dhuronte Selena-s veshkën e saj.
Kështu së fundmi Gomez ka shpërndarë një postim në “Twitter”, për t’i shprehur mirënjohjen e përhershme mikeshës, që i shpëtoi jetën në një moment shumë delikat. Francia Raisa publikoi një fotografi nga spitali në vitin 2017, kur u bë transplanti i veshkës për Gomez.
“Nëse më keni ndjekur për një kohë, ju e dini që e kam mbajtur procesin e dhurimit të veshkës sime mjaft private. Sidoqoftë, mendoj se kam arritur në një pikë në jetën time ku ndihem rehat dhe e sigurt duke folur për përvojën time dhe duke përdorur platformën time për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjet e ndryshme të veshkave që prekin popullatën tonë”- shkroi ndër të tjera Francia.
Këtë postim e shpërndau edhe Selena, e cila gjeti rastin të falënderonte mikeshën e saj.
“Faleminderit që më bekove. Jam përgjithmonë mirënjohëse ndaj teje”, ka shkruar Selena.