Kontrabandistët hedhin migrantët në det, 20 të mbytur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Xhibuti, ku 80 emigrantë janë hedhur në det nga kontrabandistët midis Bririt të Afrikës dhe Gadishullit Arabik të mërkurën më 3 mars.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) njoftoi se të paktën 20 prej tyre besohet të jenë mbytur.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji në më pak se 6 muaj.

Kontrabandistët kishin grumbulluar rreth 200 migrantë, përfshirë fëmijë në një anije në Xhibuti që drejtohej për në Jemen.

Rreth gjysmë ore pasi u larguan nga bregu, kontrabandistët filluan të bërtisnin se kishte shumë njerëz në bord dhe hodhën dhjetëra prej tyre në ujë.

Mijëra afrikanë përpiqen të kalojnë detin në Jemenin e shkatërruar nga lufta, duke synuar të arrijnë në vende te pasura të Gjirit ku ata shpresojnë të gjejnë punë.