Kriza ekonomike nxjerr në rrugë qytetarët, djegin gomat dhe koshat

Libani po përballet me një krizë ekonomike, e cila ka futur na varfëri mbi gjysmën e popullsisë.

Të martën banorët në kryeqytetin Bejrut bllokuan rrugët për të shprehur revoltën e tyre me qeverinë dhe me zhvlerësimin e monedhës kombëtare.

Të rinjtë sfiduan orën policore prej pandemisë duke djegur gomat e makinave dhe koshat e mbeturinave.

"Situata jonë po përkeqësohet përditë. Fuqia blerëse është si aq keq sa ç'imagjinohet. Nuk kemi naftë për makinat, as energji elektrike për t'u ngrohur, as punë. Çmimi i bukës është në qiell."- thotë një protestuese.

"Sot dollari u barazua me 9 deri 10 mijë paund libanezë. Familjet me zor po blejnë qumësht apo ndërresa për fëmijët. Sot në supermarket me 200 deri 300 mijë paund libanezë blen fare pak gjëra."- shprehet protestuesi

Monedha kombëtare e Libanit prej javësh luhatej në nivelin 8 mijë paund kundrejt dollarit.

Por ndërhyrjet e bankës qendrore për rritjen e kapitalit bankar me 20 për qind brenda fundjavës detyruan bankat të kërkojnë dollarë nga tregu për të arritur objektivin.

Ndërkohë prej muajsh vendi ka mbetur pa një qeveri funksionale, që kur kabineti i vjetër u detyrua të mbajë përgjegjësi duke u dorëhequr për shkak të ngjarjes së 4 gushtit të shkuar, kur shpërthimi aksidental në portin e kryeqytetit la mbi 200 të vrarë, përpos 300 mijë banorëve pa shtëpi.