Albin Kurti në Lezhë: Shqipëria e Kosova duhet të bashkërendohen drejt afrimit

Në pritje të mandatimit si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi 2 marsin, përkujtimin e Besëlidhjes së Lezhës, për të sfiduar politikën shqiptare dhe për të dhënë një mesazh të fortë për projektin e tij politikë ktej kufirit. Bashkë me politikanë të njohur nga trojet jashtë kufijve, të pashoqëruarnga zyrtarë vendas i bënë homazh Skënderbeut, simbolit të bashkimit të shqiptarëve.

Albin Kurti, anashkaloi politikën dhe institucionet shqiptare ndërsa u shfaq në Lezhë për të përkujtuar 577 vjetorin e Besëlidhjes së 2 Marsit 1444 me në krye Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Krah tij nuk ishte asnjë përfaqësues qëndror apo lokal i vendit, por ishin rreshtuar politikanë nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërore, si  Ziadin Zela, Nik Gjeloshaj dhe Shait Kamberi.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës nuk nguroi të jepte edhe një mesazh politik për Shqipërinë, teksa mori në krah kandidatin e Vetëvendosjes në Lezhë për 25 prillin.

“Duhet të ndjekim pishtarin që është bartur gjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptar të përfaqësohet me njerëzit më të mirë dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë qe e ka pllakosur ta bëjë me zhvillim e përparim të gjithanshëm. Sot këtu te flamuri kombëtar te Besëlidhja e Lezhës zotohemi për angazhim të përhershëm”, nënvizoi Kurti.

Është përkrahës i hapur i bashkimit kombëtar, por kur vesh kostumin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i referohet Kushtetutës, e cila e ndalon.

"Pa dyshim që Shqipëria e Kosova si shtete si institucione e politikë duhet të bashkërendohen drejt afrimit, integrimit e bashkimit e mbi të gjitha në tre fusha kryesore: Në atë të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe politikës së jashtme të kombit shqiptar. Kushtetuta e Kosovës e ka në kundërthënie nenin 1.1 dhe neni 1.3.

Ky i fundit na ndalon bashkimin me një shtet tjetër të pavarur si Shqipëria por paraqet dhe pengesë për integrimin e një lloji tjetër si ai Europian. Në Kosovë kur nuk kemi ligj për referendum dhe nuk ndryshojmë dot Kushtetutën tregon se duhet të bëjmë më shumë punë e duhet kohë për të arritur atë pikë por padyshim ishte edhe intensa historike dhe dëshira e shqiptarëve.

Përfaqësuesit e shtetit e politikës shqiptare e përkujtuan 577 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës me postime në rrjetet sociale.

Lexo dhe: Tirana e zënë me zgjedhjet, Besëlidhjen e kujton Kurti dhe politikanë nga Maqedonia, Mali i Zi e Presheva

https://youtu.be/zhp6E1ecnuw