Ali Ahmeti: Kurti përballë sfidave të vështira
Politikani shqiptar, Ali Ahmeti, pret që qeveria maqedonase të mbajë një mbledhje të përbashkët me atë kosovare që do të formohet së shpejti. Ahmeti ka besim se kandidati për kryeministër, Albin Kurti, mund t'i adresojë sfidat që përball Prishtina.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, por e gjen tani veten përballë sfidash.
Nga Maqedonia e Veriut, politikani shqiptar, Ali Ahmeti, thotë se kandidati për kryeministër, Albin Kurti, vjen në një moment kyç për vendin.
Ahmeti: Shumë çështje kërkojnë zgjidhje, duke filluar që nga sundimi i ligjit dhe deri tek zgjedhja e problemit përfundimtar mes palës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim thotë se pa ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, çështja Kosovë-Serbi nuk ka për t'u mbyllur.
Ahmeti: Pa zgjidhjen përfundimtare të problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e qetë edhe Evropa. Nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm as Evropa.
Ahmeti vlerëson se procesi i fundit zgjedhor e rikonfirmoi Kosovën si një shtet demokratik.
Ahmeti: Uroj që kjo traditë për sëmbari të vazhdojë se është një vlerë tepër e çmueshme. Një vend demokratik vlerësohet nga zgjedhjet si i bënë dhe si organizon dhe a kontestohet nga palët konkurruese.
BDI-ja është në koalicion me socialdemkratët e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.
Ahmeti thotë se po presin formimin e institucioneve të reja në Prishtinë për të mbajtur një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive, takim që deri tani është shtyrë nga pandemia por edhe situata politike.
Ahmeti: Është në dobi të dy vendeve tona, është një moment që duhet të shfrytëzohet dhe të jetësohet në dobi të qytetarëve të dy vendeve tona.