Nëntëvjeçari nga Prishtina i shkruan letër Bidenit, ja çfarë i kërkon

Një nxënës në klasën e tretë në një shkollë të Prishtinës i ka shkruar një letër presidentit amerikan Joe Biden.

Ai i ka kërkuar Bidenit mbështetje,  pasi do që ai dhe shokët e shoqet e tij të mësojnë më shumë për Amerikën në orët e mësimit në shkollë.

“Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë të ndryshme, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në.  Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, kulturën, sportin dhe të tjera”- ka shkruar ai.

Letrën e djaloshit nga Prishtina drejtuar presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë e ka postuar ambasadorja në detyrë e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

“Një nëntëvjeçar, nxënës i klasës së tretë, nga Kosova i ka shkruar një letër presidentit amerikan, Joe Biden, duke i kërkuar mbështetjen e tij, sepse ai do të donte të mësonte më shumë për Amerikën në shkollë. Nuk mund të jetë më e ëmbël se kaq"-  ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Letra e plotë e nxënësit të klasës së tretë që ia ka dërguar presidentit amerikan, Joe Biden:

I dashuri z. Joe Biden,

Shkëlqesia juaj, i nderuar president

Shpresoj se je mirë dhe e ke pasur një fillim të mirë në Shtëpinë e Bardhë. Emri im është Diell Sadriu dhe jam nga Kosova, Prishtina. Jam nëntëvjeçar dhe jam në klasën e tretë në British School në Kosovë.

Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë të ndryshme, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në. Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, kulturën, sportin dhe të tjera.

Pres që të dëgjoj së shpejti nga ju,

Gjithë të mirat,

Diell Sadriu