Gjykata i revokon fletarrestin të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviç, VV: Skandal dhe rrezik

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me lajmin e raportuar në mediat kosovare lidhur me pranimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale nga Gjykata Themelore e Prishtinës për të revokuar fletarrestin për një nga eksponentët kryesor të krimit të organizuar, Milan Radojçiçin.

Vetëvendosje kujton se Milan Radojçiçi, të cilit Gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës.

"Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim. Po ashtu Milan Radojçiçi sipas prokurorisë ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviçit, për çka ka qenë ndër të tjera në kërkim nga organet e sigurisë" thuhet në deklaratë.

Sipas Vetëvendosjes, ky vendim i Gjykatës, i mbajtur heshtur, larg opinionit publik, përveç skandalit, përbën dhe rrezik e të panjohura.

"Si mund dikujt që i është përgatitur fletarresti për dyshime si i përfshirë në krim të rëndë t'i revokohet ai? Kush është Prokurori i Prokurorisë Speciale i cili paska kërkuar nga departamenti special pa asnjë argumentim të qëndrueshëm që të revokohet urdhërarresti për një ndër kriminelët më të mëdhenj të pasluftës? Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës".

VV thotë se Prokuroria speciale dhe Gjykata themelore duhet t'i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel.

Po ashtu VV i bën thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë.

"Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë. I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje. Institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen se pse në vend se të ndjekin kriminelët paskan hequr dorë nga përndjekja. Këto bashkëpunime me krimin e organizuar tash në kohën e ndërrimit të qeverisë janë tërësisht të papranueshme dhe duhet të hetohen".

Rasti në fjalë për Vetëvendosjen shtron edhe njëherë domosdoshmërinë e kalimit në sitën e vettingut të gjyqësorit dhe prokurorisë.

"Si qeverisje e ardhshme jemi të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës. Por kjo gjë siç po dëshmohet nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar. Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal".