Vaksinimi kusht për ata që dëshirojnë të kryejnë pelegrinazhin në Mekë
Arabia Saudite njoftoi se këtë vit vaksina kundër koronavirusit të ri, Covid-19 është kushti kryesor për pelegrinazh në Mekë.
Ministri saudit i Shëndetësisë, Tawfig Al-Rabiah, ka theksuar se “ata që dëshirojnë të kryejnë pelegrinazh janë të detyruar të vaksinohen kundër Covid-19” dhe se “ky është një kusht për të shkuar në Mekë”.
Ministri Rabiah gjithashtu kërkoi që të bëhen përgatitje të hershme për sigurimin e punonjësve shëndetësorë që do të jenë me detyrë në qendrat e shëndetësisë në Mekë, Medinë dhe vendet e shenjta.
Në gusht të vitit të kaluar, rreth një mijë myslimanë u lejuan të kryenin Haxhin për shkak të pandemisë, nga 2.4 milionë që u regjistruan në 2019.
Pas Haxhit, pelegrinët madje iu nënshtruan edhe karantinës në shtëpitë e tyre. Haxhi në Arabinë Saudite është një detyrim fetar për myslimanët, të cilët duhet të bëjnë këtë udhëtim nëse kanë mundësi financiare, të paktën një herë në jetën e tyre.
Ndërkohë në Arabinë Saudite nga 18 shkurti ka nisur faza e dytë e fushatës së vaksinimit të koronavirusit, duke shpërndarë dozën e parë të vaksinës, për disa kategori.
Komiteti Kombëtar Saudit për Sëmundjet Infektive miratoi dhënien e vetëm një doze individëve që kanë qenë më parë të infektuar me virusin, gjashtë muaj pas shërimit si një "imunitet natyror përforcues".
Mbretëria ka administruar tashmë mbi 780,000 doza të vaksinave Covid-19.