Përgjime të paligjshme të rreth 5 mijë numrave telefonikë, gjykata maqedonase dënon kryespiunin
Gjykata Penale e Shkupit dënoi me 12 vjet burg ish-shefin e shërbimit sekret maqedonas.
Sasho Mijalkov dhe disa ish-bashkëpunëtorë të tij u shpallën fajtorë në shkallën e parë të gjyqësorit për akuzat e organizimit kriminal, përgjimeve të paligjshme dhe shkatërrimin e pajisjeve përgjuese.
Mijalkov ishte drejtues i Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Ministrinë e Brendshme, kur opozita zbuloi në 2015-ën se rreth 20 mijë politikanë, gazetarë dhe personalitete me ndikim po mbaheshin nën përgjim nga viti 2008, pa vendim gjykate.
Si ideator i përgjimeve u akuzua kushëriri i tij dhe ish-kryeministri, Nikola Gruevski, i cili do të rrëzohej nga qeveria dy vite më vonë.
"Qëllimi ishte kontrolli mbi të gjithë, jo vetëm mbi kundërshtarët politikë, por edhe bashkëpunëtorët. Përgjimet u kryen përmes pajisjeve dhe sistemit që ekzistonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ato u shkatërruan më pas, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit mbi 1 milion euro dëm," thanë gjykatësit.
Të premten u dënuan me nga 15 vjet burg dy ish-funksionarë të lartë të agjencisë së kundërzbulimit, ndërsa 4 vjet burgim iu caktuan ish-ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska.
Ndaj Mijalkovit u pre këtë javë fletarresti ndërkombëtar pasi nuk po gjendej në banesë.
Kryeopozitari i VMRO-DPMNE-së pretendoi të premten se 55-vjeçari ishte arratisur në Beograd por u rikthye pasi iu kërcënua familja nga kryeministri aktual, Zoran Zaev.
Zaevi, i cili e zbuloi skandalin e përgjimeve në 2015-n, kur ishte në opozitë, tha të premten se pandëshkueshmëria nuk ka më vend në Maqedoninë e Veriut.