Gashi: VV pritet të formojë e vetme qeverinë "Kurti 2", nëse jo, koalicion me pakicat joserbe
Avokati, Tom Gashi, është i bindur se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do ta krijojnë të vetëm qeverinë.
Në një intervistë për Ora News, Gashi thotë se aktualisht VV i ka të konfirmuar 56 deputetë dhe i nevojiten edhe 5 të tjerë për të krijuar qeverinë "Kurti 2".
Shpresat janë te vota e emigratëve dhe ajo me kusht, por nëse nuk sigurohen deputetët që duhen, atëherë do të marrin nga pakicat joserbe.
Gashi: Është e qartë se deri tani VV prin. Nuk janë numërua ende votat e mërgatës dhe votat me kusht. Janë të konfirmuar 56 deputetë që do të jenë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. VV së bashku me listën e zonjës Osmani, për ta bërë qeverinë vetë u duhen edhe 5 deputetë të tjerë.Jemi të bindur që me numërimin e votës së mërgatës dhe votës me kusht ky numër do të bëhet. Por nëse nuk ndodh kështu, jemi të bindur që VV do ta krijojë qeverinë e vetme por do të marrë edhe deputetë të pakicave joserbe që kanë shprehur dëshirën e tyre për ty kyçur në fitoren e madhe të VV por ka gjasa që edhe deputetë të partive të tjera që do të mbeten në opozitë mund ta bëjnë këtë gjë. VV e ka të sigurt se do ta bëjë e vetme qeverinë "Kurti 2".
Avokati Gashi tha se në të gjitha rrethanat, VV nuk do të bëjë kurrë koalicion qeveritar me Listën Serbe.
Gashi: Lëvizja Vetëvendosje nuk do të pranonte nuk do të pranonte kurrë që të formojë qeveri me Listën Serbe. Ata janë të lidhur me Serbinë dhe presidentin e saj Vuçiç. Janë 10 vende të rezervuara për pakica të tjera jo serbe. Një pjesë e tyre do ti bashkangjiten VV, por edhe deputetë të tjerë të LDK, PDK, që kanë mbetur në opozitë.
Sa i takon vonesave për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, Gashi tha se KQZ e ka justifikuar zgjatjen e numërimit të votave të mbetura me shkaqe teknike.
Gashi komentoi edhe rezultatin zgjedhor të arritur nga Osmani, duke u shprehur se ajo i vërtetoi edhe njëherë ish-partisë së saj LDK, që jo vetëm ruajti votat që kishte marrë në siglën e saj në 2019, por i tejkaloi ato.
Gashi: Osmani ka fituar një numër jashtëzakonisht të madh të votave. Nuk u vërtetua pretendimi i LDK se nëse bënte koalicion me VV nuk do të ketë votat që kishte në tetor të 2019. Ja që ndodhi e kundërta. Sipas të gjitha të dhënave ka fituar rreth 250 mijë vota, më shumë se70 mijë vota sesa kishte fituar kur ishte kandidate e LDK për kryeministre. Qytetarët e Kosovës i kanë besuar Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe listës së saj, është realizuar definitivisht vullneti i qytetarëve në tetor të 2019.
Intervista me Matilda Mcinin, përgatiti Besjana Kuçana