Kosova brenda Serbisë në hartën e BE-së, Lajçak shkakton polemika, reagon Stano: Mos sajoni lajme false
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është akuzuar më herët për anshmëri në raportet mes dy vendeve. Tashmë ai ka nxitur polemika për shkak të hartës që mban në zyrë dhe që e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë.
Bashkimi Europian po akuzohet se mban anë në dialogun Kosovë-Serbi, përkatësisht me emisarin e vet të posaçëm, Miroslav Lajçak.
Diplomati sllovak dha fundjavën e kaluar intervistë për një portal ballkanik, por ndërsa mesazhet e tij morën pak vëmendje në medie, ajo që tërhoqi syrin ishte dekori apo harta pas shpinës së tij.
Harta e paraqiste Kosovën brenda kufijve territorialë të Serbisë, edhe pse vendi prej 13 vitesh gëzon pavarësi dhe ka kufij që njihen nga mbi 100 shtete.
"Të mbash një hartë të tillë në zyrë kur dihet pozicioni që ke, është gafë e madhe," reagoi studiuesi për çështjet e rajonit, Florian Biber.
Aktorë mediatikë e politikë në Prishtinë gjithashtu apeluan për ndjesën e ish-kryediplomatit Lajçak.
Të enjten reagoi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së.
"Pretendimi për hartën është plotësisht i pavend dhe fals. Kjo hartë zyrtare e BE-së është neutrale. Unë do rekomandoja këdo që të fokusohemi te problematika reale të cilat do e avanconin dialogun për normalizimin, dhe jo të sajojmë lajme false."
Dialogu Prishtinë-Beograd rifilloi vitin e kaluar në zyrat e Brukselit, por pandemia dhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë i kanë devijuar tryezat.
Diplomati Lajçak mban postin e ndërmjetësuesit mes palëve që prej prillit 2020, ndërkohë që vendi i tij, Sllovakia, është një nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.