Abuzuan me subvencionet, arrestohen 10 zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, sekuestron 400 mijë euro

Dyshimet për abuzime me subvencionet bujqësore çuan të mërkurën në arrestimin e 10 zyrtarëve dhe 2 qytetarëve në Kosovë. Aksioni u shtri në gjithë vendin dhe pritet të vazhdojë në ditët në vijim.

12 zyrtarë shteti dhe qytetarë të Kosovës u arrestuan si pjesë e një aksioni të gjerë antikorrupsion në vend.

Forca të shumta policie i nisën të mërkurën bastisjet nga zyrat e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Të parët u shoqëruan drejtuesi i saj, funksionarë dhe inspektorë të agjencisë që varet nga Ministria e Bujqësisë, të dyshuar për abuzime me konkurset dhe subvencionet dhënë firmave dhe fermerëve të ndryshëm.

Kryeprokurori i vendit, Aleksandër Lumezi, tha se sekuestruan prova të ndryshme materiale për ta mbështetur aktakuzën.

"Janë arrestuar 12 persona 10 janë persona zyrtar dhe 2 qytetarë të tjerë që i kanë ndihmuar këtyre dhe që dyshohen për disa vepra penale, për keqpërdorim të subvencioneve dhe dhënie e marrje të ryshfetit."

Drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës shtoi se të tjera ndërhyrje pati në komunat Gjilan, Istog dhe Pejë, u u konfiskuan edhe shuma parash, makina e kompjutera.

"Diku rreth 400 mijë euro janë konfiskuar. Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve dhe janë hetuar nga vepra penale."

Autoritetet thonë se goditja e fenomeneve korruptive në Kosovë do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, kërkoi të mërkurën hetim të plotë dhe dënim maksimal për personat që do të rezultojnë fajtorë.