UNICEF sjell në Kosovë dërgesën e parë të shiringave për vaksinimin kundër Covid

Shefi i zyrës së UNICEF-it ( Fondi i Kombeve Të Bashkuara Për Fëmijë) në Kosovë, Murat Sahin, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter ka thënë se shumë shpejt do të japë detaje për mbërritjen e vaksinës Covid-19 në Kosovë.

Ai gjithashtu bëri të ditur se përmes fluturimit të djeshëm, më 25 shkurt, janë sjellë në Kosovë shiringat e para që do të përdoren për vaksinimin kundër Covid-19.

"Fluturimi i sotëm do të sjellë dërgesën e parë të shiringave që do të përdoren për vaksinimin kundër Covid në Prishtinë. Së shpejti, detaje për mbërritjen e vaksinave. Së bashku ne mundemi," ka shkruar ai në Twitter.