Stuhia godet Teksasin, gjesti i çiftit shqiptar bën bujë
Në kulmin e krizës që shkaktuan temperaturat e acarta në Shtetet e Bashkuara e në veçanti në Teksas, ku miliona njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, njerëz të ndryshëm kanë filluar tu ofrojnë ndihmë atyre të tejkalojnë këtë krizë.
E ndër ta janë edhe çifti bashkëshortor shqiptar Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca të cilët hapën dyert e restorantit të tyre “Bella Italia” në Dallas, duke ofruar ushqim falas për banorët e lagjes së tyre.
Ata treguan dhe njëherë zemërgjerësinë dhe mikpritjen e traditën shqiptare, se duhet ndihmuar të tjerët në ditët më të vështira.
“T’ju them të drejtën, gatuanim lazanja dhe pasta, si më të lehtat për t’u gatuar me gaz, pasi s’kishim as energji e asgjë”.
Rekordin e arritën të Mërkurën kur për 3 orë u servirën ushqim falas të specialiteteve italiane 500 banorëve. Ata thonë se drejtuesit e këtij lokali janë njerëz të veçantë.
Dyshja ishin mysafirë edhe në televizionin Fox, ku me modesti folën për atë se çfarë i shtyu të ndërmarrin këtë veprim. Ari tha se dy vite më parë kur filluan biznesin ishte një përvojë e veçantë, e pas pandemisë së COVID-19, menduan se do të falimentojnë, por ishin klientët ata që i ndihmuan të mbijetojnë.
Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës natyrore në Teksas, pasi acari me temperatura minus 18 gradë celsius la pa energji e ngrohje 3.3 milionë banesa, mes të cilave 80 akoma nuk po furnizohen për shkak të dëmtimit të linjave. Mbi 60 persona kanë humbur jetën nga moti i ftohtë i pazakontë në gjithë vendin.