Përkatësia etnike në letërnjoftime, partitë shqiptare në Maqedoni mbështesin idenë
Partitë në Maqedoninë e Veriut vijojnë polemikat rreth një propozimi që nxjerr në pah realitetin shumetnik të shtetit.
Projektligji i propozuar nga Lëvizja Besa kërkon që në kartat e identitetit të tregohet edhe përkatësia etnike e personit.
Partia shqiptare thotë se këtë pikë ia ka parashtruar si kërkesë kryeministrit, Zoran Zaev, para koalicionit qeveritar.
Por partitë opozitare, më kryesorja VMRO-DPMNE-ja, thonë se shënimi i etnisë në letërnjoftime diskriminon maqedonasit dhe mund t'u japë etnive avantazhe në disa drejtime, si punësimi.
Edhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian në vend, përsëriti të shtunën se publikimi i përkatësisë etnike në letërnjoftime nuk do të ishte në përputhje me rregulloret europiane.
"Në BE, letërnjoftimet për momentin rregullohen nga ana e shteteve anëtare, por në gusht të vitit 2021 rregullorja e re do e ndalojë përpunimin e përkatësisë etnike dhe fesë. Harmonizimi i ligjeve vendore me rregullat dhe standardet e BE-së është proces i rëndësishëm për negociatat.”
Vetë kryeministri Zaev e ka përkrahur idenë e përkatësisë etnike në letërnjoftime duke theksuar se shoqëria maqedonase ka karakter shumetnik, përveçse me maqedonas, me shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë e serbë.
"Ne kemi të drejtën absolute në nivel kombëtar se si mund ta zgjidhim këtë. Sigurisht në fund do të ndjekim vendimet dhe rregullat europiane sepse ne duam të jemi anëtarë të BE-së. Debati do të mbetet i hapur," deklaroi shefi i qeverisë maqedonase.