Kosova tani me sytë tek presidenti
Kosova përballet brenda 45 ditëve me një urgjencë tjetër kushtetuese siç është zgjedhja e Presidentit të ri.
Ndërkohë që vendi e zgjidhi çështjen e parlamentit më 14 shkurt, tani në fokus do të jetë votimi i kreut të shtetit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët, të cilët marrin pushtetin.
Analistë politikë, si Arton Demhasaj, nga organizata "Çohu", mendojnë se presidenca ka prioritet absolut për vendin.
“Menjëherë sapo të konstituohet Kuvendi, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta krijojë shumicën e nevojshme prej 80 deputetëve për me fillu procedurën për zgjedhjen e presidentit. E më pastaj me vazhdu me formimin e qeverisë, kjo mund të ndodhë edhe brenda një dite," tha Demhasaj.
Edhe Dorajet Imeri nga Universiteti i Prishtinës, gjykon se zgjedhja e presidentit të ri ka rëndësinë parësore.
“Presidenti i vendit duhet të jetë i zgjedhur jo më larg se data 6 prill e këtij viti. Prandaj nëse nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje," tha Imeri.
Më optimiste shprehet Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e cila thotë se çështja e Presidentit mund të zgjidhet pa shumë ngutje.
“Mendojmë që jemi ende në kohë për të arritur që së pari të konstituohet Kuvendi, pastaj Qeveria e më pastaj edhe tek sfida e tretë që është zgjedhja e presidentit," tha ajo.
Që prej 5 nëntorit, Kosova udhëhiqet nga presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, pasi ish-kreu i shtetit, Hashim Thaçi, dha dorëheqjen për t'u përballur në Gjykatën Speciale.
Osmani garoi me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e së dielës, dhe ka shprehur dëshirën për ta ushtruar postin për 5 vite të tjera, kur t'i mbarojë mandati në datën 5 maj.
Kandidati tjetër për president është ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.