Kurti: Planifikojmë eliminimin e notave për klasat fillore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një bashkëbisedimi virtual me Fernando M. Reimers, profesor në Universitetin e Harvardit ka treguar planprogramin për arsimin.

Ai thotë se qeveria e tij po planifikon të eleminojë notat për klasat fillore të ulëta.

“Diskutuam gjatë mbi sfidat e arsimit dhe politikat që i planifikojmë për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimi i notave për klasët fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës”-  shkruan Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se planifikojnë që t’i shtyjnë studentët më të mirë të nivelit master të angazhohen në mësimdhënie.

“E dimë se shumica e klasëve në shkolla janë të mbingarkuara, dhe një reformë që propozoi profesori Reimers e që ka funksionuar për shtetet e ngjashme është angazhimi i asistentëve për mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Lëvizja Vetëvendosje planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master të angazhohen në mësimdhënie, dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë”.