Refuzohen disa fletëvotime e ardhura nga jashtë, gjobiten PDK dhe LDK

Kosova do të marrë edhe pak kohë për ta mbyllur tërësisht procesin e numërimit të votave nga zgjedhjet e së dielës.

Mbi 791 mijë persona brenda vendit ushtruan të drejtën e votës në garën politike të 14 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani po administron mbi 40 mijë pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora, por po rezulton se jo të gjitha ato i plotësojnë kushtet për numërim.

"Arsyet se përse janë refuzuar kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit; nga votues të paidentifikuar votim grupor, nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë."

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se numërimi i votave të mbetura do të kalojë në disa faza.

"Po besojmë që brenda disa ditëve do të përmbyllen këto procese më mënyrë që të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve nga jashtë vendi, pastaj fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta", tha Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme të së dielës nxorën fituese me gati 48 për qind të votave, Lëvizjen Vetëvendosje.

Gati 30 për qind më pak vota mori partia ndjekëse, PDK-ja, ndërsa LDK-ja që ka tani pushtetin rezultoi forca e tretë, me gjithsej 13 për qind të votave.

Dy partitë më me historik, PDK-ja dhe LDK-ja, u penalizuan të enjten edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa, duke u gjobitur me nga 600 euro secila për thyerje të heshtjes zgjedhore, siç mësohet, pasi në ditën e votimit u kishin dërguar mesazhe telefonike qytetarëve duke u bërë thirrje t'i mbështetnin.