Skandali në Mal të Zi, autobusi me qytetarë nga Kosova sulmohet me gurë në ditën e Pavarësisë

Një autobus me kosovarë të cilët po udhëtonin drejt Kolashinës në Mal të zi është sulmuar me gurë, mbrëmjen e djeshme më 17 shkurt.

Lajmi është bërë i ditur nga Semir Kardovic, agjent turistik në Rozhajë përmes një postimi në Facebook.

Kardovic ka thënë se kjo ngjarje i ka kujtuar vitet '90, ndërsa ka bërë të ditur se policia malazeze ishte vetëm 200 metra larg.

Ai ka thënë  se nuk është hera e parë që janë sulmuar autobusët kosovarë dhe ky është një turp, por gjithsecili ka treguar fytyrën e vet.

"Absurditeti më i madh është se patrulla e policisë në Berane ishte vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes. Kur organizatorët e udhëtimit  shkuan të paraqesin rastin, ata i kanë thënë të vazhdojnë rrugën sepse nuk mund t'i ndihmojnë," ka shkruar Kardovic, duke pyetur nëse ky ishte urimi i malazezëve për ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ai nuk ka bërë të ditur nëse ka të lënduar nga sulmi.