Mesazhet e “NEWBORN”/Monumenti i pavarësisë së Kosovës, mbështetje për luftën e UÇK-së

Monumenti i pavarësisë së Kosovës, “NEWBORN” në Prishtinë, ka përcjellë një mesazh për botën në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kronika ju njeh me një historik të meszhave të monumentit të pavarësisë në vite.

Monumenti i pavarësisë së Kosovës, “NEWBORN” në Prishtinë, pothuajse çdo vit dërgon një mesazh për botën. Këtë vit mbështetja shkon për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa katër ish udhëheqësit e saj po përballen në Hagë me akuzat për krime lufte.

Qytetarët kanë ngjyrosur monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë, duke treguar përkrahjen për luftën e UÇK-së.

Në vitin 2013, monumenti përcolli mesazhin e mirënjohejes për të gjitha shtetet që e kishin njohur Republikën e Kosovës.

Një vit më pas, u përkutjuan të rënët në luftë, ndaj ngjyrat e NEWBORN-it ishin të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovën. Në 2015, qytetarët shprehën lirshëm ndjenjat e tyre, ndërsa 2016 përçoi mesazhin e izolimit, pamundësinë e Kosovës për t’u integruar në BE.

Rrëzimi i mureve ishte ideja e drejtëpërdrejtë në 2017 ndërsa 2018 shënoi një dekadë nga pavarësia. Por ky monumentka përcjellë mesazhe edhe për çështje të ndjeshme mjedisore, siç është ngrohja globale apo viktimat e dhunës seksuale në 2020.

"NEWBORN" u krijua në një kohë rekord brenda 11 ditëve nga autori, Fisnik Ismaili dhe u zbulua më 17 shkurt 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë.

Atë ditë, mbi 150 mijë njerëz u nënshkruan në këtë monument. Të parët që nënshkruan ish-presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.