13 vjet pavarësi, homazhe te ish-presidenti Rugova, Adem Demaçi e komandant Jashari
17 shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës bën 13 vite që nga shpallja e pavarësisë. Liderët politikë të vendit kryen homazhe për disa nga figurat që dhanë mundin dhe jetën për të fituar sovranitetin e saj.
Kosova shënoi të mërkurën 13-vjetorin e saj të Pavarësisë. Deklarata e miratuar nga parlamenti të dielën e 17 shkurtit 2008 e shpalli vendin të pavarur dhe sovran, një republikë demokratike, laike dhe multietnike.
Ishin shumë figurat që kontribuan deri atje, herë me politikë e herë me vetëmohim.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, dhe liderët politikë i nisën homazhet nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova.
Osmani: Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Njeriu që i hapi dyert e mbarë botës në mënyrë që zëri ynë, zëri i popullit të Kosovës të kumbojë dhe dëgjohet kudo.
Hoti: Me shpalljen e pavarësisë shtet ne u bëmë pjesë e familjes euro-atlantike
Kurti: Jemi te presidenti i parë, i republikës së parë të Kosovës i cili është edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar.
Nderime iu bënë edhe veprimtarit të çështjes kombëtare dhe heroit, Adem Demaçi, përpara se ceremonia të zhvendosej në Prekaz, ku prehet komandanti legjendar, Adem Jashari.
Hoxhaj: Sot dua që nga Prekazi heroik t'iu urojë pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi dhe shumë bashkëluftëtarë të tyre të cilët qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në gjykatë dhe për te cilët presim qe të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë.
Haradinaj: Jemi të bindur se Kosova e pavarur do ec në rrugën e vetë të zhvillimit, integrimit euroatlantike dhe të bashkimit me Shqipërinë.
Manifestimet vijuan gjatë ditës, ndërsa personalitetet nga rajoni dhe bota uruan vendin në ditën e tij kombëtare.
Aktualisht Kosovën sovrane e kanë njohur si të tillë mbi 100 shtete në botë, më i fundit Izraeli, ndërsa po bëhen përpjekje për afrim edhe me kundërshtaren e dikurshme, me Serbinë.