Biden letër urimi Osmanit: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë.

Në letër thuhet se SHBA-ja është e interesuar që ta vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën dhe të ndihmojë integrimin e saj në rrugën evropiane.

Sipas presidentit Biden, në rrugën e saj evropiane Kosova duhet të punojë për një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, e cila ka në qendër njohjen e ndërsjellë.

Ndryshe nga letra që i dërgoi pak ditë më parë presidentit serb Aleksander Vuçiç, adresimi që presidenti Biden ia bëri Kosovës është më personal.

Siç shkruan ai, Kosova ka një vend të veçantë për familjen e tij për shkak se djali i tij i ndjerë, Beau Biden, kishte punuar në shtetin më të ri në Europë.

Urimi i Biden

Ndërkohë Osmani shkruan në Facebook: “Sot kam pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ai rithekson raportet e forta ndërmjet dy popujve tanë, mbështetjen e vazhdueshme e të fuqishme të SHBA-ve si dhe nevojën që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.

Ditën e nesërme Kosova kremton 13-vjetorin e Pavarësisë.