Mediu: Programi i PD-së duhet të integrohet me programet e partive të tjera

Drejtuesi i republikanëve, Fatmir Mediu, e konsideron të domosdoshëm krijimin e një ekipi të ri qeveritar nga partitë e bllokut opozitar përballë krizës së krijuar në vend nga qeveria Rama.

Ai i bëri apel liderit demokrat Basha që programin elektoral ta shoqërojnë me figura me integritet.

Mediu: Është e domosdoshme sot që ky program që është paraqitur nga Partia Demokratike, duhet patjetër të integrohet me programet e partive të tjera të opozitës, për të krijuar programin e qeverisjes së qytetarëve shqiptarë, në interes të Shqipërisë, në shërbim të interesave tona kombëtare.

Për më tepër, është e domosdoshme që në këtë situatë të rëndë, të një krize politike, të një krize institucionale, krize morale, ekonomike, ne të thërrasim në mbështetje të interesave të Shqipërisë, kualitete të cilat të ofrojnë në fushën e kulturës, të mjekësisë, ekonomisë, një qeverisje kualitative.

Pra është e rëndësishme që ky program po ashtu të shoqërohet me njerëz kualitativë, të cilët do të jenë pjesë e qeverisjes së nesërme dhe jo vetëm thjesht njerëz të politikës opozitare.

Gjatë një bisede me drejtuese të grave republikane, Mediu foli edhe për menaxhimin e pandemisë dhe tha se situata po rëndohet.

Mediu: Dua t`ju them që kostot e trajtimit të Covid-it në spitalet private janë të jashtëzakonshme, përfshijnë vlerën e të ardhurave vjetore të cdo familje, dhe pasojat ekonomike, pasojat në shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë do të krijojnë një pandemi jashtëzakonisht të madhe në të ardhmen e këtij vendi.

Duke ju referuar procesit të vaksinimit anti-Covid, ai tha se me këto ritme që po ecën shumë qytetarët të pafajshëm do të humbasin jetën.