Ngrica e temperatura të ulëta, zona të bllokuara e vështirësi në rrugë pasi reshjet e borës ndaluan
Mbi 1. 5 metra arriti trashësia e dëborës në rrugën e Doganës së Qafë Thanës si pasojë e reshjeve të dendura dhe erës që e grumbullon në një pikë!
Lëvizja me vështirësi nisi mëngjesin e të hënës pasi aksi qëndroi i bllokuar për rreth 17 orë, duke mbajtur të bllokuar dhjetëra persona mes të cilëve fëmijë e gra shtatzëna.
Fillimisht u hap vetëm një korsi, ku mjetet qarkullojnë të shoqëruara nga borëpastruese. Por shumë mjete ishin braktisur në borë ndërsa disa udhëtarë e morën në këmbë për të dalë në rrugën nacionale Librazhd-Korçë.
Reshjet e dëborës ia lanë vendin ngricave në të gjithë vendin. Rrugët kombëtare në qarkun e Korçës qarkullohen me Zinxhirë dhe goma dimërore, ashtu si edhe në rrugët drejt zonave turistike.
Të bllokuara mbeten fshatrat e thellë të Maliqit, Panariti në Korçë e Mokra në Pogradec. Fshatra të izoluar ka edhe në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë e Elbasan, ku problemet lidhen me ngricat
Në veri të izoluar mbeten fshatrat e Dukagjinit, Thethi e Vermoshi, ku banorët thonë se termometri ka zbritur deri në -15 gradë dhe zona ka probleme me furnizimin me energji elektrike.
Ndërsa në mungesë të ndërhyrjes së institucioneve, banorët e zonës së Ungrejt në Lezhë nisën ta hapin vetë rrugën mes borës që arrin në 50 cm.