Debat për borën, Dhimitri: Traktoristja e transportit; Balluku: Mund t'ju bëj një xhiro me borëpastruese

Bllokimi i rrugëve nga bora përplasi në parlament deputeten e opozitës Fatjona Dhimitri dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Ajo akuzoi minisrtren se ndërsa njerëzit kkishin mbetur për orë të tëra të bllokuar në rrugë, ministrja dilte dhe bënte shfaqje në borëpastruese.

Dhimitri: Me forcën e kartonit sot do të kaloni një fond sa dyfishi i fondit të zgjedhjeve të 2017. Një merak kam për rilindjen, a do ti mjaftojë ky fond apo do të vijnë ndihma nga Ndragheta dhe Nusreti? Është e turpshme në këto kohë të vijimë të bëjmë fushata luksi kur në borë janë bllokuar qindra mjete dhe nuk paska kripë të zezë për të hedhur. Ju vidhni pa ju vrarë fare ndërgjegjia sepse se keni fare një të tillë. Traktoristja e transportit doli si heroinë për të treguar situatën në terren. Këtë herë nuk e zuri halli te Nusreti por në një borëpastruese sa për të xhiruar serinë e radhës së mashtrimit.

Balluku iu përgjigj deputetes, duke i kërkuar që të mos i rëndojë më shumë shqiptarëve situatën ku ndodhen sot.

Ajo tha se regjistrimi i asaj video në borëpastruese ishte i detyruar pasi në terren zëri i saj nuk mund të dëgjohej nga puna e këtyre mjeteve për të hapur rrugën, ndërsa ironizoi me deputeten Dhimitri se mund t’ia bënte një xhiro nëse i kishte ngelur në mendje.

Balluku: Nuk e di nëse keni dalë në terren. Siç i keni parë Taulantin të futur në ujë dhe borë. Kërkoni pak bëni searche para se të shkruani fjalët. Bora pa dyshim bie edhe pasi kalon borëpastruesja. 37 kontratat rajonale të mirëmbajtjes kanë qenë aktive. Është përballuar në mënyrën më të mirë kjo propagandë. Juve që ju ngeli mendja të borëpastruesja ku hipa unë mund t’iu bëj një xhiro me borëpastruese. Atë video e bëra në borëpastruese sepse në terren nuk dëgjohej zëri. E di çfarë është kjo dhe ku doni të dilni. Ju thoni që nuk ka polici në terren. Por si u hapën këto rrugë. I hapët ju me imagjinatën tuaj duke parë televizor. Cili shqiptar ka ndonjë dyshim se si e kemi përballuar ne tërmetin.  Në Aquila ka njerëz që jetojnë ende në kontejner. Ne po mbarojmë shtëpitë pa i kërkuar asnjë ndihmë qytetarit. Në Shqipëri po kompensohen të gjithë për dëmet. Unë e kuptoj që ti nuk ke shumë punë për të bërë dhe mundësia jote është të dalësh njëherë në javë. Njerëzve nuk i mjafton tërmeti dhe pandemia por ju kanë dhe ju që lëshoni helm.