Garancia për zgjedhjet në Kosovë, KQZ-ja firmos memorandum bashkëpunimi me organet ligjzbatuese
“Shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjitha subjektet politike, votuesit dhe të gjithë ata që kanë rol në këto zgjedhje, të dëshmojmë edhe njëherë se si shtet i ri jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira demokratike dhe të pranueshme për të gjithë," u shpreh Daka.
Një trupë e gjerë me rreth 150 prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë të hetuesisë janë angazhuar për 14 shkurtin.
Drejtuesi i Policisë garantoi situatën me rendin, ndërsa Prokuroria paralajmëroi ata që kapen duke fotografuar votën.
“Inkurajojmë të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës, që për çdo parregullsi, edhe mediat, të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe ne do të jemi në dispozicion. Dëshirojmë që kjo ditë e zgjedhjeve të shkojë në frymën e ditëve festive dhe të mos kemi incidente”, tha Ajvazi.
“Fotografimi i votës është e vërtetë që nuk është vepër penale. Mirëpo çdo person i cili do të rastisë të fotografojë votën në qendër të vendvotimit, do të arrestohet menjëherë nga Prokurori i Shtetit me qëllim të ndalimit dhe të intervistimit dhe të arsyes se pse e ka fotografuar atë votë," tha Pula.
Paneli Zgjedhor për Ankesat u zotua se do i japë zgjidhje shpejt pretendimeve të palëve, ndërsa në monitorim do mbahen edhe mediet, për raportimin sa më të paanshëm.
“Ne kemi filluar monitorimin 1 javë para se të fillojë procesi zgjedhor. Dje e kemi pasur një mbledhje të jashtëzakonshme ku për shkeljet para fillimit të fushatës zgjedhore kemi identifikuar 5 televizione, të cilat kanë transmetuar përmbajtje programore pa sponsorizim," u shpreh Latifi.
Ndërkaq, të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës priti nga Sllovenia mbi 1 milion e 617 mijë fletëvotime, të cilat në pak orë do u shpërndahen 38 komunave, rreth 900 qendrave në gati 2.400 vendvotime.
KQZ-ja ka porositur një numër fletësh më të vogël se ai i votuesve të përgjithshëm, por vota u është premtuar të gjithëve.
“Asnjëherë nuk është paraqitur mungesë e fletëvotimeve në vendvotime, por edhe në raste të tilla kur pjesëmarrja është e lartë në një vendvotim, natyrisht se ka fletëvotime rezervë të cilat mund të përdoren dhe askush nuk do mbetet pa votuar, asnjë qytetar cili do shkoj në vendvotime e tij nuk do mbetet pa votuar," tha Elezi.