Meta: Askush nuk do guxojë të prekë votën e qytetarit, ndëshkoni ata që ju ofrojnë para
Në një moment kur mazhoranca dhe opozita flasin për fitoret e tyre në zgjedhjet parlamentare, Kreu i Shtetit është i bindur se me 25 prill do të triumfojnë qytetarët.
Pak minuta pasi Kryeministri e akuzoi Presidentin Meta se po bashkëpunon me gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu kundër qeverisë së tij, Ilir Meta nga Saranda i ka kujtuar sërish referendumin e 25 prillit.
"Nuk ka shaka, ky është referendumi i tretë dhe më i vërteti i popullit shqiptar për të rivendosur demokracinë dhe askush nuk do të guxojë të prekë votën e një qytetari të Sarandës dhe të Shqipërisë".
Dhe për ta kthyer 25 prillin në një fitore të tyre, Ilir Meta ka nje apel të drejtëpërdrejtë për shqiptarët.
"I bëj thirrje të votojnë kundër çdo force politike që I bën presion me bukën e gojës apo vendin e punës. Ti ndëshkojnë tek kutia e votimit. Të ndëshkojnë ata që përdorin instrumente të pandershëm për të imponuar dhe poshtëruar qytetarët shqiptarë. Të ndëshkojnë ata që përpiqen të ofrojnë para për votat”.
Nuk mund të mos flasësh për marrëveshjen e detit me Greqinë kur viziton Sarandën.
Presidenti i ka kujtuar Edi Ramës se deti nuk mund të negociohet çdo 4 vjet, për këtë arsye të arsyetojë dhe të bashkëpunojë me institucionet.
“Nuk ka pasur as transparencë dhe as bashkëpunim serioz e të besueshëm siç e meriton një çështje e tillë. Kjo nuk është një çështje që zgjidhet çdo katër vjet, duhet zgjidhur njëherë e përgjithmonë."
Ilir Meta nënvizon faktin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të 2010 duhet të jetë udhëheqësi i Shqipërisë në negociatat me Greqinë për çështjen e detit.