Kim përkrah Ramës te Piramida, Koka: Kush është Kryeministri e di, po kush është Ambasadorja?

Gazetarit, Bledian Koka, nuk i ka lënë shije të mirë dalja krah për krah e ambasadores amerikane Kim me kryeministrin Edi Rama ditën e sotme teksa inspektuan nisjen e punës për rijetëzimin e Piramidës së Tiranës.

Për Rtv Ora ai thotë kjo dalje publike pas replikave në distancë mes tyre për të mos futur në listat zgjedhore  persona me rekorde kriminale krijon konfuzion dhe vë në pikëpyetje  qëndrimet e Ambasadores.

Megjithatë përtej retorikës, Koka thotë se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm që kur kanë përballë kriminelin dhe intelektualin, votën duhet t'ja hedhin këtij të fundit nëse nuk duan të vuajnë pasojat.

Koka: Kush është Kryeministri unë e di. Pyetja është kush është kjo Ambasadorja amerikane e cila replikon me një Kryeministër që vë në dyshim ato direktiva që ajo nuk i ka shumë të vetat sesa i ka të shërbimeve amerikanë apo partnerëve tanë që i thonë duhet ta bësh deklaratën. Deri dje ziheshin a thua se po prishej Shqipëria me Amerikën dhe sot zonja ambasadore del në krah të kryeministrit Edi Rama dhe inaugurojnë rivitalizimin e mazoleumit të ish-diktatorit të Shqipërisë në një vend ku po shkatërrohet kryeqyteti, ku ndërtohen kulla dhe është në diskutim vlera e tyre dhe paratë me të cilat po ndërtohen. Ambasadorja ta zgjidhë vetë, nëse do atë Edi Ramën që promovon kriminelë nuk është faji i Ramës por i Ambasadores. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm sesa një Ambasadore apo Kryeministër, ta kuptojnë kur kanë përballë kriminelë të mos zgjedhin ata por intelektualët. Ndryshe të mbajnë pasojat.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana