Bajden shpalos politikën e jashtme, presidenti amerikan e vë theksin te vlerat demokratike e humanizmi
Presidenti i ri amerikan, Xho Bajden, ka bërë të njohur se politikat e tij e jashtme do të fokusohet të fuqizimi i vlerave demokratike dhe konfrontimi ndaj autoritarizmit në botë.
Diplomacia amerikane do të marrë një kurs tjetër në katër vitet e ardhshme, për t'u bërë më humane, më shumë aleate me partnerët dhe më e ashpër me fuqitë autoritare.
Politikën e jashtme të SHBA-së e shpalosi të enjten presidenti i saj, Xho Bajden.
"Do riparojmë aleancat tona, do angazhohemi edhe një herë me botën, jo për të adresuar sfidat e së djeshmes, por të tashmet dhe të nesërmet."
Kryeshtetari amerikan u drejtoi mesazhe të posaçme Rusisë dhe Kinës, njërës fuqi që sipas tij po rrit ambiciet për ta rivalizuar vendin, dhe tjetra, për ta cenuar demokracinë e SHBA-së.
"Presidentit Putin ia kam bërë të qartë, ndryshe nga paraardhësi im, se kanë marrë fund ditët kur Shtetet e Bashkuara nuk bënin zë para veprimeve agresive, ndërhyrjeve, sulmeve kibernetike dhe helmimit të qytetarëve të saj. Do e përballim edhe Kinën për abuzimet ekonomike, për të drejtat të njeriut, për qeverisjen globale, me gatishmërinë për të punuar bashkë për interesat tona."
Presidenti Bajden propozoi zgjidhje edhe për çështjet me të cilat përballet tani bota, siç janë kriza e refugjatëve, operacionet në Lindjen e Mesme, përfundimi i luftës në Jemen apo grushti i fundit ushtarak në Mianmar.
"Nuk duhet të ketë asnjë dyshim: në demokraci, forca nuk duhet kurrë të sundojë mbi vullnetin e popullit apo të fshijë rezultatin e zgjedhjeve të besueshme."
Bajdeni paralajmëroi një samit me liderët globalë për klimën në muajin prill.
Një tjetër samit botëror do të fokusohet te mbrojtja e demokracisë, ku ai do të apelojë mbrojtjen e vlerave të saj, të drejtat e njeriut dhe çrrënjosjen e regjimeve autoritare në botë.