Hetimi i përgjimeve nga SPAK, Koka: Gallo vazhdon punën në Bllok, mungon një dorëheqje nga Erion Veliaj

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur zyrtarisht hetimet lidhur me përgjimet e Antimafias italiane  të publikuara në Rtv Ora, ku mes të tjerash flitej edhe për lidhje dhe ndikim të organizatës mafioze kalabreze “Ndrangheta” edhe në Shqipëri.

Gazetari, Bledian Koka, e sheh pozitiv këtë zhvillim por thotë se mbetet për tu parë sesi do të ecin hetimet.

Koka: E rëndësishme është që ka nisur një hetim. Më shumë se zhurma e dosjes skandaloze që tregon që Ndragheta i ka vendosur kontaktet në Shqipëri dhe në mos e ka filluar punën, do ta fillojë së shpejti, ka nisur dhe hetimi. Për herë të parë nuk ka pasur rrjedhje informacioni. Lajmi është vajtja e kreut të SPAK në Romë. Shpresojmë që SPAK dhe drejtësia të jetë aq i pavarur sa na me kanë shitur në nisje të gjithë kësaj zallamahie që quhet reforma në drejtësi.

Në planin politik, Koka thotë për Rtv Ora se i mungon minimalisht një dorëheqje e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Koka: Minimalisht më mungon këtu një dorëheqje publike e Erion Veliajt. Është hera e tretë e Erion Veliaj, së pari ishte me ish-kryebashkiakun e Veronës, më pas me ish-biznesmenin e mbetjeve të inceneratorëve në Tiranë dhe tani. Sot e gjithë ditën po të shkoni në Bllok dyqanin e Gallos e keni hapur. Nuk e di sa serioz është hetimi kur nuk vendosën ca shirita për sy e faqe. Rezultoi që edhe Ministria e Jashtme kishte blerë ca pantallona për kopshtarët. Si ka mundësi që të gjitha lidhjet të çojnë te Erion Veliaj? Le ta nxisim këtë proces dhe të shpresojmë shumë që fjala e ambasadorit të Italisë bën më shumë ligj sesa frenimi i ligjit që bëjnë deklaratat publike të Kryeministrit që sa herë kapet me presh në dorë bën nihilistin. Nuk po ftoj Erion Veliaj të bëhet i penduar dhe të tregojë lidhjet e tij, por s'ka pse bën përjashtim nga dorëheqja. Këto përgjime janë akoma më të rënda(i krahason me ato të Tahirit). Një qeveri serioze nuk bën gallatë në televizion. Nuk mund të dalë Veliaj dhe të thotë janë deklarata politike, po ambasadori italian është anëtar i LSI apo anëtar i PD?Nuk më rezulton se është i asnjërës.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana