Masivi shkëmbor bie pranë banesës, shpëton për mrekulli familja në Mirditë

Edhe disa rrotullime edhe ky gur mund të shkaktonte një tragjedi. Pesë anëtarët e familjes Lesi në fshatin Katund i Vjetër në Mirditë shpëtuan për mrekulli pasi masivi i shkëputur nga mali, ndaloi pak metra para banesës. Ishte zhurma e rrëshqitjes që i zgjoi mes panikut për atë që po ndodhte.

"Edhe pak e s'kisha dol më pa u shemb krejt shtëpia"

Kryefamiljari Preng Lesi, prej disa ditësh tashmë punon për copëtimin e gurit në oborr.

" Po i bëj copa të vogla sa ti marrë fadroma" thotë i zoti i shtëpisë

Një shkëmb i përmasave të mëdha ra dhe në rrugën Rubik Katund i vjetër, duke bllokuar për disa ore lëvizjen e mjeteve drejt këtij fshati turistike. Për largimin e shkëmbit nga rruga u angazhuan punëtore e mjete të Bashkisë Mirditë dhe pas disa orësh u bë e mundur hapja e këtij segmenti rrugor.

Fenomeni i rrëshqitjes së gurëve është shfaqur frikshëm në zonën e Katundit të Vjetër pas reshjeve të fundit të shiut, pasi më parë nuk ka patur situata të ngjashme.