"Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta", Meta i uron 85-vjetorin gjeniut të letrave shqipe
Presidenti, Ilir Meta, i ka uruar 85-vjetorin e lindjes shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Në një postim në facebook, Meta i referohet Kadaresë shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar.
Kreu i Shtetit nënvizon se Kadare ishte një dritë për shqiptarët në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetet një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian.
Meta: Gëzuar ditëlindjen Ismail Kadare, gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar, që si askush tjetër dite t'u japësh përmasa universale duke na bërë krenar të gjithëve.Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetesh një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, për çka të jemi mirënjohës përjetë.
Në këtë datë të shënuar për Ju, u bashkohem sot urimeve më të ngrohta të familjes së dashur Kadare dhe mbarë kombit shqiptar, për të pasur shëndet e jetë të gjatë dhe shumë suksese të reja në krijimtarinë Tuaj të shkëlqyer letrare!