Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu" për regjisorin e shquar Dhimitër Anagnosti
Presidenti Ilir Meta dekoron regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në 85-vjetorin e lindjes së tij.
I emocionuar regjisori I njohur falenderoi presidentin dhe të pranishmit për këtë ditë të veçantë.
“Dua të falenderoj të gjithë me të cilët kam punuar që bashkë kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë për të realizuar filma. Kineastët bëjnë një vepër që jeton edhe në brezat që vijnë. “
Më pas bashkëshortja e saj, Roza Anagnosti lexoi dhe mesazhin që regjisori e kishte shkruar për këtë ditë.
“Në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shohë më tepër brenda vetes se jashtë saj
Duhet të bëjmë kujdes në ndërtimin e jetës, ta ngrejmë kokën hera herës nga problemet e përditshme dhe të shikojmë yllin polar për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit në këtë vend, e këtë truall ku brezat kanë derdhur energjitë fizike, intelektuale, morale e shpirtërore."
Presidenti Meta në fjalën e tij në ceremonie solemne u shpreh se emri dhe vepra e zotit Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, është sot për të gjithë ne frymëzim.
"Kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit.
Filmat tuaj, edhe pse të krijuar në një kohë e në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm që nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit tuaj, janë përherë në kohë, duke i paraprirë asaj.
Përmes gjuhës së pasur filmike, ata përcjellin mesazhe universale nga një kohë në tjetrën, duke mbetur përherë aktualë.
Dekorata e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, iu dha regjisorit Anagnosti me motivacionin: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.