U dëmtua nga tërmeti, restaurohet shtëpia e piktorit Sali Shijaku
Banesa e piktorit të njohur, Sali Shijaku, është restauruar në pjesën më të madhe të saj, pas dëmeve që iu bënë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Projekti pritet të vijojë edhe me tavanin që do të restaurohet në një fazë të mëvonshme.
Kjo banesë e familjes Shijaku është ndërtuar në vitin 1400 dhe është nga më të vjetrat në Tiranë e ndoshta dhe në Ballkan.
Lëkundjet e 26 nëntorit sollën jo vetëm dëmtimin e mureve por dhe të tavanit karakteristik apo dhe shkallëve.
Përmes ndërhyrjes me një fond të posaçëm këtë të hënë u bë i ditur përfundimi i restaurimit në pjesën më të madhe.
Banesës i jep edhe më shumë vlerë fakti se aty është rritur dhe edukuar piktori i mirënjohur Sali Shijaku.
Madje hapësirën më të madhe të dhomës kryesore e zënë pikërisht pikturat e tij dhe mjetet e punës.
Për ministren dhe familjarët punimet janë të realizuara.
Projekti do të vazhdojë dhe me tavanin, në të cilin u bë e mundur vendosja e traut qëndror.
Banesa e familjes Shijaku është e mbrojtur si Monument Kulture dhe konsiderohet një ndërtesë e rrallë.