Prençi: Po ndërtohen rrugë pa marrë parasysh përmbytjet, kjo është kriminale
Në një intervistë për Ora News, këshilltari i presidentit Meta, Shemsi Prençi, ia drejtoi "gishtin" e fajit qeverisë që ndërton pa marrë në konsideratë përmbytjet, por lëshon tendera e koncesione pa kriter, vetëm për përfitime. Ai solli shembullin e dy projekteve, atë të periudhës së regjimit komunist, të linjës hekurudhore që përshkon Levanin e nuk përmbytet, dhe rrugën Bërdice - Shkodër, investim i viteve te fundit.
"Që të bëhet një objekt ose një vepër në infrastrukturën rrugore dhe sidomos në zonat e infrastrukturës kritike, duhet me patjetër të merret edhe mendimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, edhe i Drejtorisë së Ujërave. Harta të merret në konsideratë, sepse e kam thënë edhe një herë tjetër Shqipëria është vend i kërcënuar nga vështirësitë natyrore, sidomos nga përmbytjet në ultësirën perëndimore të Shqipërisë, nga lumi Buna e deri në Sarandë.
Nuk mund të ndërtohet një vepër e infrastrukturës pa marrë në konsideratë përmbytjet.
E thënë ndryshe çdo projekt që realizohet pa marrë hartën e përmbytjeve maksimale të ndodhura ndër vite, nuk mund të ndërtosh vepra për perspektivën.
Marrim në konsideratë vetëm linjën hekurudhore që shkon në Vlorë. Nga Levan i Fierit deri tek ura e Mifolit, ajo rruga ose shinat e trenit kalojnë në një urë me dritare, që lejon edhe shfryrjen e lumit Vjosa, por ndërkohë ka rritje të nivelit të trasesë së hekurudhës dhe është studiuar aq mirë që asnjëherë të mos ketë përmbytje të linjës hekurudhore. Kjo vepër e ndërtuar para 60 vitesh, ndërkohë veprat që ndërtohen sot përmbyten".
"Kam sjellë si shembull rrugën e investuar prej dhjetëra miliona eurosh nga Bërtica e Shkodrës në drejtim të Velipojës, është ndërtuar pa marrë në konsideratë nivelin maksimal të përmbytjeve që është arritur në vitin 2010-2011.
Pra sot dyshemeja e rrugës, aksi, është 1 metër e 20 centimetra, në nivelin e vitit 2011, çka do të thotë që në një përmbytje më të vogël, ai segment rrugorë do të jetë nën ujë, por në një nivel përmbytjesh që ka ndodhur në 2011-ën, ai segment rrugorë që i themi ne, nga Bërdica deri tek ura e Gjo Lulit do të jetë 1 metër e 20 cm nën ujë".
Prençi nënvizoi se zyrtarët e tillë po kryejnë veprimtari kriminale.
"Me dashje, institucione të caktuara për të kryer vepra dhe koncesione me shpejtësi e duke fituar fitime marramendëse, nga disa zyrtarë që janë me qëllime dashakeqëse për infrastrukturën shqiptare, nxitohen dhe nuk përpilojnë projekte të kësaj natyre duke marrë në konsideratë shkaqet natyrore që rrezikojnë infrastrukturën.
E thënë ndryshe këto janë veprimtari kriminale, të gjitha ato vepra që planifikohen pa marrë në konsideratë përmbytjen", u shpreh Prençi.