Thurje kallëzon Veliajn në SPAK, Shabani: Kemi sjellë dylbi për të parë ujkun
Nisma "Thurje" ka denoncuar në SPAK kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj duke kërkuar hetimin e tij pas publikimeve në media të përgjimeve të Antimafias italiane. Sipas padisë, prokuroria duhet të hetojë dhe të zbardhë të vërtetën lidhur me bisedat ku personazhe të botës së krimit flisnin në lidhje me pazaret për lejet e ndërtimit në Tiranës.
Nisma “Thurje” dorëzoi në SPAK kallëzimin penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt, të cilin e akuzojnë për pastrim parash.
Përfaqësuesi i “Thurjes”, Endri Shabani, tha se kjo është dosja e fundit që denoncojnë me shpresën se institucioni i drejtësisë do të veprojë , ndërkohë që në mënyrë simbolike kishin me vete edhe një palë dylbi.
Sipas Shabanit, SPAK duhet ta kishte nisur kryesisht procedimin por kjo nuk ka ndodhur deri tani.
"Janë denoncuar në SPAK 100 zyrtarë. Sot në po sjellim dosjen e fundit, dosjen 1001, nuk sjellim më. Kemi sjellë Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, sepse besojmë që SPAK nuk do ti marrë gjithë ato para që janë hedhur për drejtësinë e re dhe të tregojë përralla. Ende sot nuk po merr fund situata e pandërshueshmërisë. Kjo është një thirrje e fundit për SPAK. I kemi sjellë këtu disa çështje dhe denoncime me fakte që janë në media. Sipas Kodit të Procedurës Penale, SPAK nuk ka nevojë për denoncime, sepse duhet ti nisë këto çështje. Kur i kanë parë gazetarët, SPAK-u duhet t’i kishte parë me kohë. I kemi sjellë një palë dylbi që të shikojë ujkun. Vërtetë ne po sjellim gjurmët, por SPAK-u e ka pasur ujkun para syve për të gjithë gradacelat që po ndërtohen”, tha Shabani.
Pak ditë më parë kreu i SPAK deklaroi se do i kërkojë autoriteteve italine ti vinte ne dispozicin materialet ku flitej për Shqipërinë dhe më pas do të vendoste ne lidhje me procedimin.