Janet Yellen emërohet si gruaja e parë që do të udhëheqë Thesarin në SHBA

Ish-kryetarja e Rezervave Federale, Janet Yellen u konfirmua si sekretare e thesarit të hënën, më 25 janar, duke u bërë gruaja e parë udhëheqëse në këtë departament, sipas CNBC.

Senati ka votuar me 84 vota pro dhe 15 kundër, për konfirmimin e Yellenit, e cila sipas presidentit amerikan, Joe Biden, do të angazhohet për stabilizim të ekonomisë amerikane, teksa përballet me krizën më të rëndë në dekada.

Si Kryetare e Rezervës Federale, Yellen punoi për të ndërtuar marrëdhënie me anëtarët e Dhomës dhe Senatit,” tha Mark Hamrick, një analist i lartë ekonomik.

“Në atë pozicion ishte e rëndësishme të shmangej tejkalimi i linjave të caktuara politike.”

Si prioritet të parë, Yellen, 74-vjeçare, pritet të ketë hartimin e politikave ekonomike, teksa Shtetet e Bashkuara përballen me pandeminë e koronavirusit.

“Sa më pak rol politik të ketë Yellen, aq më shumë besueshmëri do të ketë në tregjet financiare,” tha Stephen Myrow, partneri menaxhues në firmën e këshillimit të politikave Beacon Policy Advisors.

Mandati i Yellen do të sjellë një ndryshim të dukshëm nga ai i paraardhësit të saj Steven Mnuchin, bankieri i investimeve që mbikëqyri thesarin nën udhëheqjen e ish Presidentit Trump.

Duke folur pak para votës në Senat, udhëheqësi i shumicës demokrate, Chuck Schumer vuri në dukje se zonja Yellen, ish-kryetare e Rezervës Federale, gëzon mbështetje dypartiake.

Zoti Schumer tha se zonja Yellen ka një eksperiencë shumë të gjerë dhe mbështetja për të reflekton “se sa e përshtatshme është ajo për të menaxhuar sfidat ekonomike të kohës sonë… sidomos këtë moment krize ekonomike”.

Gjatë seancës për konfirmimin e saj në Komisionin e Senatit për Financat javën e kaluar, zonja Yellen argumentoi se pa veprime të menjëhershme, vendi do të kërcënohet nga “një recesion më i gjatë dhe më i dhimbshëm”.

Ajo bëri thirrje për veprim të shpejtë për të miratuar paketën e ndihmave kundër goditjes së pandemisë, e cila përfshin pagesa të drejtpërdrejta prej 1400 dollarësh për individë që marrin më pak se 75,000 dollarë në vit, zgjerimin e asistencës së papunësisë si dhe mbështetje për bizneset dhe qeverisjet lokale në vështirësi.