Erdogan: Vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e ekuipazhit të anijes së rrëmbyer

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se përpjekjet për të shpëtuar ekuipazhin që u rrëmbye pas një sulmi pirat ndaj një anije mallrash turke pranë Nigerisë vazhdojnë në mënyrë intensive.

Nga Drejtoria e Komunikimit të Presidencës së Turqisë bëjnë të ditur se presidenti Erdogan sërish zhvilloi një telefonatë me kapitenin e katërt të anijes, Furkan Yaren, të cilit i tha se përpjekjet vazhdojnë në mënyrëi ntesive.

Gjithashtu, Erdogan duke ndjekur zhvillimet nga afër u informua edhe për gjendjen shëndetësorë të tre anëtarëve të ekuipazhit që mbijetuan.

Ditën e djeshme anija e mallrave “Mozart” u sulmua nga piratë në një pikë rreth 180 milje larg qytetit Lagos të Nigerisë.

Ata morën peng 15 nga 19 anëtarë të ekuipazhit turk dhe u larguan nga anija, ndërsa gjatë zhvillimeve vranë një pjesëtarë të personelit, shtetas i Azerbajxhanit.

Me tre pjesëtarë të ngelur, anija filloi të lëvizë dhe u ankorua në Port-Gentil të Gabonit.