Tragjike/ 2 javë pas shpërthimit në Kinë, gjenden të vdekur 9 minatorë

Ekipet e kërkim-shpëtimit në Kinë kanë gjetur trupat e pajetë të nëntë minatorëve, që kishin mbetur të ngujuar nga një shpërthim në një minierë ari, duke e çuar në dhjetë numrin e përgjithshëm të viktimave.

19 minatorët e tjerë arritën të nxirren të gjallë pas dy javëve qëndrimi, qindra metra nën sipërfaqen e tokës në provincën Shandong.

Megjithatë, për "The Guardian", një nga zyrtarët ka konfirmuar se një person ende rezulton i zhdukur.

Chen Yumin, kryetari i grupit të kërkim-shpëtimit, tha se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e personit të zhdukur.

Ai shtoi se dyshohet të kenë ndodhur dy shpërthime për harkun kohorë të dy orëve, por sipas tij, shpërthimi i dytë ka shkaktuar më së shumti dëme.