Analizat te privati, Policia e Shtetit hap tender 320 mln lekë të vjetra
Policia e Shtetit i ka besuar një laboratori privat analizat biologjike për të gjithë personat e arrestuar apo të shoqëruar në vend.
Për këtë shërbim Drerjtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në dhjetor të 2020 ka hapur një tender me vlerë 320 milion lekë të vjetra ku kërkon të lidhë një marrëveshje 12 mujore me një laborator privat.
Shërbimi që policia po tenton ti japë privatit deri tani është kryer nga Instituti i Policisë Shkencore dhe Mjekësia Ligjore.
Laboratori sipas kritereve të tenderit duhet të kryejë analiza biologjike të personave të ndaluar dhe arkivimin e tyre në një database të posaçme që më pas do të përdoret nga policia kriminale në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
"Lidhja e marrëveshjes kuadër me një operator ekonomik është më e përshtatshme duke pasur parasysh natyrën e shërbimit të analizimit të monstrave biologjike të të ndaluarve dhe arrestuarve" thuhet në dokumentacionin e siguruar nga Ora News.
Ndërsa ky tender ishte nisur me një procedurë për përzgjedhjen e vetëm një laboratori privat me datë 28 dhjetor 2020 policia e Shtetit ka njoftuar Agjencinë e Prokurorimeve se kishte vendosur të anulonte procedurën, siç thuhet në dokumente, për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të pa parashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit duke respektuar parimet e barazisë dhe transparencës sipas përcaktimit në rregullat e prokurorimit publik.
Pritet që në ditët në vijim ky tender të hapet sërish nga policia me qëllim lidhjen e kontratës 12 mujore për kryerjen e analizave biologjie të personave të ndaluar dhe arrestuar.